Telegrafi

Haradinaj-Stublla bisedon me homologen nga Suedia, kërkon që edhe në dialogun në Bruksel të ketë qartësim të temave

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, të martën zhvilloi një bisedë telefonike me ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Ann Linde, të cilën tha se e falënderoi për përkrahjen që shteti suedez ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën evropiane.

Kryediplomatja Haradinaj Stublla tha se Kosova si shtet i pavarur dhe i njohur nga gati 2/3 e botës është fakt i pakthyeshëm, dhe se tash është radha e pesëshes së Bashkimit Evropian të avancojnë qëndrimin e tyre me njohje ndaj Kosovës.

“Marrëveshja e arritur në Uashington është hap i madh drejt normalizimit të plotë me Serbinë, andaj kërkova që edhe në dialogun e Brukselit të ketë qartësi në tema dhe afat kohor më dinamik”, tha Haradinaj Stublla.

Temë diskutimi gjatë kësaj bisede ishte edhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen, me ç’rast ministrja Haradinaj Stublla shprehu pakënaqësinë që edhe pas 8 vjetësh ende nuk ka qartësi nga Bashkimi Evropian për obligimet kontraktuale ndaj Kosovës. /Telegrafi/