Site icon Telegrafi

Haradinaj–Stublla bisedoi me ministren britanike Morton: Arritjet historike të Kosovës kanë ndodhur vetëm kur aleatët tanë kanë vepruar bashkë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike shumë të përzemërt me Ministren Britanike për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë, Wendy Morton.

Kryediplomatja Haradinaj – Stublla tha se Mbretëria e Bashkuar është një ndër aleatët historik dhe strategjik të Kosovës, në çdo etapë të shtetndërtimit të saj.

Duke falënderuar ministren Morton për mbështetjen e pazëvëndësueshme të Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, ministrja e Jashtme e Kosovës shprehu vullnetin e Prishtinës zyrtare për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, edhe pas procesit të BREXIT-it.

“Arritjet historike të Kosovës kanë ndodhur vetëm kur të gjithë aleatët tanë kanë vepruar bashkë. Në këtë kontekst, theksova rëndësinë e rolit aktiv edhe të Mbretërisë së Bashkuar në përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, që duhet të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve ekzistues”, tha Ministrja Haradinaj – Stublla. /Telegrafi/

 

Exit mobile version