Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se agjenda e Kosovës nuk pengohet nga konspiracionet e as retorika mesjetare. E pyetur rreth deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë rreth shqiptarëve të vrarë e të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, ajo ka thënë se i qëndron prapa letrës së dërguar shteteve të QUINT-it në të cilën ajo ftoi të dënohet gjuha ofenduese e qeverisë serbe.
Haradinaj-Stublla tha se nuk ndryshon asnjë shkronjë nga letra që iu dërgoi ditë më parë ndërkombëtarëve, e që erdhi pas deklaratave publike të ministrit serb Ivica Daciq për lokacionet ku fshihen trupat e shqiptarëve, e pasuar nga ajo e Aleksandër Vulin që shqiptarëve u drejtohet me termin ofendues “shiptari”.
“Kushdo që mendon se do të hyjë edhe më tutje në këtë valle të cilën nuk e kam nisur vet, gabohet shumë, këto janë agjenda që i kontribuojnë të kundërtës së asaj që Kosova është zotuar, dhe besoj që nuk i kontribuojnë debatit të ecjes përpara të vendit tonë. Andaj dua të konfirmoj që Kosova ka aleatë, ka miq, dhe ne punojmë shumë ngushtë me ata miq dhe vetëm atyre u japim qartësi dhe qëndrueshmëri në qëndrimet dhe raportet tona. Agjenda e Kosovës, nuk përcaktohet as nuk zmbrapset, nuk pengohet as nga konspiracionet por as nga retorika mesjetare”, tha ajo.
Diplomatja kosovare ka pritur në takim kryetarin e Luginës së Preshevës, Shqipërim Arifi, pas së cilit tha se duhet të ngritët zëri dhe të alarmohet situata deri në nivelet më të larta ndërkombëtare, për të ndaluar fushatat diskriminuese ndaj komunitetit shqiptar në Serbi.
Shqiprim Arifi tha se nuk duhet dhënë hapësirë deklarimeve të zyrtarëve serbë, që sipas tij tashmë janë persona të akumuluar.
“Si dikush i cili jeton në administratën serbe e sheh pak më ndryshe këtë. Unë çuditëm me ju media sa keni sensibilitet ndaj këtyre dy personave të akumuluar me vite në politikat raciste dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve, së pari juve ju kisha këshilluar që mos t’i japim shumë hapësirë këtyre dy allfadogëve të viteve të ‘90-a dhe kasapit të Millosheviqit, kjo është si këshillë për ju. Përndryshe, ne e dimë pse e bëjnë ata, rezultatet e parlamentare janë determinuese për qasjen e një ministri të jashtëm psoedik aktual, dhe për këtë arsye nuk është shumë me rëndësi”, tha ai.
Takimi në mes të ministres së Jashtme të Kosovës dhe kryetarit të Preshevës vjen pas nënshkrimit të marrëveshjeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Haradinaj-Stublla tha se tashmë është hapur rruga për mbështetjen financiare të projekteve nga Lugina, që siç tha ajo janë projekte infrastrukturore, në forcim të arsimit, rritje të aftësimit profesional e ruajtje të trashëgimisë kulturore.
“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi, dhe kryetarin këtu, që ta falënderoj për shprehjen e vazhdueshme të të gjitha shqetësimeve, brengave por edhe nevojave të komunitetit të shqiptarëve në Serbi, e sidomos për diskriminimin e vazhdueshëm në baza etnike, por edhe për shqiptarofobinë sistematike fatkeqësisht në rritje në Serbi. Siç e dini çdo ditë shqiptarëve, bashkëkombësve tanë të kësaj ane u cungohet jeta, u dëmtohet perspektiva për të ardhmen po ashtu, fushata e de-popullimit apo të pasivizimit të adresave sidomos në Medvegjë është në gjendje alarmante dhe ne duhet të ngremë zërin dhe ta alarmojmë situatën deri në nivelin më të lartë ndërkombëtar në mënyrë që të ndalojë kjo fushatë diskriminuese dhe në kundërshtim me çdo vlerë evropiane e ndërkombëtare në raport me komunitetin shqiptar në Serbi”, tha ajo.
Ndërsa kryetari i Preshevës, Arifi, tha se është i kënaqur me qasjen që ka Qeveria e Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës, ku përmendi edhe idenë për korrigjim kufijsh për të cilën tha se tashmë është e kaluar.
“Jam shumë i kënaqur që 2020 e shoh një Kosovë ndryshe me qasje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ajo odise e cila u ndërtua nga 2018-a me shkëmbim territoresh, ndryshim kufijsh, parcializim të Luginës etj., besoj dhe mendoj që është një odise e kaluar, kemi arritur në një moment kur po e shohim realitetin në skenën politike kombëtare, por edhe globale, dhe mendoj që tani është momenti të forcojmë në vazhdimësi pozitën e Kosovës në Luginë të Preshevës ,dhe prezencën e saj në mënyrë profesionale. Ata që flasin bëjnë politika ditore siç janë disa politikanë në Serbi, ato janë gjëra që duhet t’i tejkalojmë, nuk janë më agjenda jonë”, tha ai.
Pas takimit, Haradinaj-Stublla tha se ka fokus të shtuar për investime infrastrukturore në Medvegjë, që siç tha ajo është zonë me mungesë të theksuar të zhvillimit ekonomik.
Ajo tha se çdo investim në këtë komunë do të ndikonte në ruajtjen e strukturës së popullsisë. /KP/