Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka reaguar lidhur me çështjen e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, duke theksuar se, 12 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ky problem duhet të trajtohet si çështje e zbatimit të ligjit në Kosovë dhe jo si pjesë e një zbatimi të Asociacionit jokushtetues.
Ajo ka kritikuar dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se për më shumë se një dekadë ky proces ka dështuar të bindë Serbinë të heqë dorë nga strukturat paralele ilegale që veprojnë brenda Kosovës.
“Për më shumë se një dekadë, dialogu i ndërmjetësuar nga BE ka dështuar të bindë Serbinë të heqë dorë nga strukturat e saj paralele ilegale brenda Kosovës.
Paaftësia e BE-së për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe aplikimi i masave ndëshkuese për ata që pengojnë – ka rrezikuar që rajoni të zhytet në skenarë të rrezikshëm të krizave të vazhdueshme të sigurisë, të nxitura nga Rusia nëpërmjet Serbisë – si përfaqësuese e saj”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas Haradinajt, veprimet e Serbisë, të mbështetura nga Rusia, kanë krijuar një klimë të pasigurisë, duke minuar stabilitetin e rajonit.
Ajo ka kërkuar një rishikim strategjik të dialogut dhe një plan të qartë kronologjik për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, duke e quajtur menaxhimin e këtij procesi në një dekadë si kaotik.
Kujtojmë se gjatë të mërkurës disa komuna paralele ashtu si edhe zyra postare e tatimore u mbyllën në dhjetë komuna të Kosova.
Aksione policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
Policia e Kosovës tha se qëllimi i operacionit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha, në anën tjetër, se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se me këtë veprim “përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”.
E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”. /Telegrafi/