Gjergj Kastrioti ishte ndër të parët në Ballkan që për vizion kishte rreshtimin me Perëndimin dhe ishte përcaktues i rrugës të cilën shqiptarët do ta ruajnë në vazhdimësi. Kështu u tha në orën e madhe letrare “Ora e Gjergjit”, në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është krijues i lirisë dhe inspirim për krijuesit.
Ai tha se me këtë manifestim po e nisin vitin jubilar për kryetrimin e Arbërisë, që shqiptarëve ua mbolli guximin dhe ua zgjoi mendjen për të fituar lirinë kombëtare.
“Me manifestimin “Ora e Gjergjit” po nisemi në rrugëtimin epik përgjatë Vitit të Skënderbeut, sepse ideja e luftës për liri na bënë bashkë dhe na mban në këmbë edhe sot pas 550-vjetësh.
Gjergj Kastrioti ishte ndër të parët në Ballkan, që vizion e kishte rreshtimin me Perëndimin dhe ishte përcaktues i rrugës të cilën shqiptarët do ta ruajnë në vazhdimësi”, tha kryeministri.
“Gjergj Kastrioti ishte dhe vazhdon të mbetet fija e artë që na lidh me aleatët tonë të përhershëm, por që na u gjenden edhe në ditë të vështira e me të cilët jemi edhe sot. Gjergji na është bërë mburojë për krenar ndër shekuj dhe inspirim për ta ruajtur lirinë kombëtare edhe me çmimin e jetës”, tha kryeministri Haradinaj.
Nder dhe privilegj për të gjithë krijuesit që viti jubilar për heroin kombëtar Skënderbeun po hapet nga shkrimtarët ka thënë të jetë kryetari i Bashkimit të Shkrimtarëve Shqiptarë, Reshat Sahitaj.
Po ashtu, ai tha se është hera e parë në historinë e Kosovës së pasluftës që pendat shqiptare po respektohen nga qeveria e veçmas nga kryeministri Haradinaj.
Në këtë aktivitet u mbajt një minutë heshtjeje për nder të profesorit dhe poetit të ndjerë Basri Çapriqi. /Telegrafi/