Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas takimit të Këshillit ministror për integrim evropian në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së liberalizimit të vizave, ku tha se tani po mungon një gatishmëri që çështja e liberalizimit të vizave të hyjë në agjendë të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.
Haradinaj tha se Komisioni Evropian ka vlerësuar plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave, çështja ka kaluar edhe në Parlamentin Evropian, ndërsa tash vendimi duhet të merret në Këshill.
“Tani më vendimi duhet të merret në Këshill. Tani po na mungon një gatishmëri me hy në agjendë me arsyetimin se disponimi nuk është më i miri”, tha Haradinaj, raporton Telegrafi.
Sipas tij, qeveritë kanë një hezitim me shti në rend dite, me arsyetimin se vullneti politik, bindja nuk është e qartë në këtë etapë.
“Unë po mendoj se është mirë me u marr rreziku, sido që të votojnë ministrat, si po si jo, të hyjë në rend dite. Kjo është kërkesa e Kosovës. Nuk bën me paragjyku rezultatin, e mos me hy në rend dite. Ndryshe, nuk ishim shku as në Parlament, se kemi mujt edhe aty me paragjyku rezultatin”, tha Haradinaj.
Sipas kryeministrit, nuk ka logjikë të ketë hezitim tash në fazën e zbatimit.
“I kam kërkuar kancelarit Kurz, pas Austria është kryesuese e BE-së të vendoset në rend dite, të hyjë në agjendë. Pra nuk është e vendosur.. do të kemi mundësi me vazhdu komunikimin… tash pra ka mbet çështje e disponimit”, u shpreh Haradinaj.
Ai shprehu besimin se nëse kjo çështje do të hyjë në agjendë, atëherë do të votohet. Sipas tij, nuk ka shtete që janë kundër, por thjesht nuk e kanë prioritet çështjen e vizave për Kosovën.
Ndërkaq, ministrja e Integrimit bëri të ditur se fillimisht hapi i parë është votimi në nivelin COREPER (ambasadorët permanentë të shteteve anëtare) dhe votimi është i njëjtë si në Këshill të Ministrave, me shumicë kualifikuese, 55 % e votave me 65 % e popullsisë.
“Insistimi ynë është që të mos dorëzohemi, të që të futet në agjendë edhe në nivelin COREPER, edhe në Këshill të ministrave”, tha ajo.
Ministrja Hoxha ka folur sërish edhe rreth premtimeve të evropianëve, se nëse kalon demarkacioni do të hiqen vizat, duke përmendur intervistën e Federica Mogherini e cila sipas Hoxhës, shumë qartë e ka potencuar se nëse kalon demarkacioni do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/