Site icon Telegrafi

Haradinaj: Shqiptarët mburren me Skënderbeun dhe Nënën Terezë

Sot në Gllogjan të Pejës u bë shugurimi i Kishës së re “Shën Ndou”, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Haradinaj me këtë rast, veçoi dy kujtime që lidhen me kishën e fshatit Gllogjan.

“Kam dy fjale emocionale. Kur kam qenë fëmijë, kam ardhur të dajtë e mi këtu në Jabllanicë. E kur është sëmurë ndokush, kam ardhur me gjyshen time, nënën Azë – dëshmore, deri këtu në Kishë, ka qenë një motër, e cila ka ofruar shërbime shëndetësore. Pra krejt populli i kësaj krahine e ka pasë një shpresë, se s’ka pasë ku me u drejtuar, e kanë ardhur këtu pa dallim besimi… Një ngjarje tjetër që du me nda me ju, ka të bëjë me një dëshmor, është Nika. Nika u vra në luftë, në mbrojtje të familjes së vet, truallit të vet, të identitetit të vet dhe në varrimin e tij, nderimin e fundit ia ka bë meshtari i kësaj kishe”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu u shpreh krenar me historinë e shqiptarëve, të cilët pa dallim feje e vendi, krenohen me Skënderbeun dhe Nënën Terezë.

“Është një liste e gjatë e jetës sonë të përbashkët, në besim, në vlera dhe në identitet. Por ndoshta mësë miri këtë e shpjegon fakti, se shqiptari, prej cilësdo krahinë të atdheut tonë autokton, apo në diasporë, sot mburret me Skënderbeun e me Nënën Terezë. Ky fakt na bënë me besu, jo vetëm që kemi me ec drejtë rrugës tonë, me ruajt vetën, ashtu siç kemi ditë qindra vjet, por edhe do ta nderojmë familjen e madhe evropiane, euroatlantike, si anëtar i familjes”, tha Haradinaj./kp/Telegrafi/

Exit mobile version