Telegrafi

Haradinaj: Shqetësuese tendenca e disa eksponentëve të pushtetit për t’i kontolluar mediat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se mbeten shqetësuese sulmet që i bëhen gazetarëve dhe mediave.

Sipas tij, në Kosovë ka tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre.

Lexo po ashtu Liria e shtypit - Kosova zë vendin e 56-të, Reporterët pa Kufij përmendin sulmet e gazetarëve në veri 

“Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre! Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, ai ka thënë se duhet reflektuar mbi rëndësinë e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias.

“Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë!”, ka shtuar tutje i pari i AAK-së.

Ndryshe, Organizata Reporterët Pa Kufij ka publikuar të mërkurën Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit me ç’rast ka paraqitur shqetësimin për gjendjen e lirisë së mediave, ndërkaq Kosova ka zënë vendin e 56-të sivjet për dallimin nga viti i kaluar që ishte në të 61-të. /Telegrafi/