Dje (e premte) iu është dhënë lamtumira doajenit të muzikës dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.
Ai u varros në varrezat e qytetit në Arbëri, ndërsa ditën e djeshme u bënë edhe homazhe nga krerët e shtetit e po ashtu edhe nga komuniteti artistik.
Një reagim së fundmi për të ndjerin e ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kreu i AAK-së e ka lartësuar figurën e Bogujevcit dhe shtoi se zëri e këngët e tij do të mbesin pjesë e kujtimeve tona të përhershme.
“Dje iu dha lamtumira e fundit doajenit të muzikës shqipe, Ismet Bogujevci! E njohëm kur ishim fëmijë nga ekranet televizive e zëri e këngët e tij do të mbesin pjesë e kujtimeve tona të përhershme”.
“Një artist i madh dhe njeri i mirë e i dashur, personalitetin e tij e madhështoi edhe më tepër thjeshtësia, modestia dhe afërsia e tij me të gjithë ata që kishin rastin ta njohin. Lamtumirë Ismet. Mbetesh i paharruar! RH”, ka shkruar Haradinaj në një postim të ndarë në Facebook.
Ismeti ka lënë pas një karrierë të bujshme artistike dhe disa nga projektet e tij të njohura janë: “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit”. /Telegrafi/