Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së komandantit të KFOR-it amerikan, Kolonel Nick Ducich te kolonel Roy J. Macaraeg, e cila u mbajt në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”, në Sojevë të Ferizajt.
Haradinaj ka vlerësuar punën e deritashme të Kolonelit Ducich dhe të ushtarëve amerikanë në ofrimin e sigurisë dhe të stabilitetit për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke e falënderuar atë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e pakursyer që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës, veçmas për kontributin e tyre në forcimin dhe ngritjen e kapaciteteve të pjesëtarëve të FSK-së, përcjell Telegrafi.
Më tej, Haradinaj duke vlerësuar lart kontributin e ushtarëve amerikanë dhe të Kampit ‘Bondsteel’, tha se ky kamp është garantues i sigurisë dhe paqes për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, dhe për rolin dhe shërbimin e tij në Kosovë e ka nderuar kolonelin Ducich me “Hartën e Artë të Kosovës”.
Për këtë ngjarje kryeministri Haradinaj ka shkruar edhe në Facebook:
“ShBA, NATO, KFOR dhe “Bondsteel” janë sinonime të paqes e sigurisë në Kosovë dhe do të jenë përherë të mirëpritura në vendin tonë. I nderuar të isha pjesëmarrës në ndërrimin e komandës në Kampin “Bondsteel”, nga Koloneli Nick Ducich tek Kolonel Roy Macaraeg. Kolonelin Nick Ducich, me të cilin pata bashkëpunim të shkëlqyer, e nderova me “Hartën e Artë të Kosovës”, për punën e tij të suksseshme në shërbim të stabilitetit dhe paqes, si dhe kontributin e madh në gjithpërfshirjen e institucioneve tona në këtë mision. Kolonelit Macaraeg, mirëseardhje në vendin tonë, në shtëpinë e tij të dytë! Të bekuar që kishim përkrah ushtrinë amerikane në çdo kohë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkaq, komandanti i kampit “Bondsteel”, kolonel Nick Ducich, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, tha se ka qenë i nderuar që ka shërbyer në mision në Kosovë, duke dhënë më të mirën. “Ka qenë nder për mua të shërbej për njerëzit e Kosovës”, tha në fjalën e tij koloneli Ducich.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci, në fjalën e tij vlerësoi se të gjitha sfidat dhe angazhimet që kanë pasur i kanë kryer me përkushtim falë bashkëpunimit të ngushtë edhe me institucionet e Kosovës.
“Nick për këta muaj të shërbimit në Kosovë përveç që është angazhuar me përkushtim në detyrën e tij ka treguar edhe praktikë bashkëpunuese me të gjitha palët. Gjatë kësaj kohe kemi arrit të realizojmë ndër të tjera edhe 2 mijë patrullime”, tha Cuoci.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland, dhe përfaqësues të tjerë institucional. /Telegrafi/