Telegrafi

Haradinaj: SHBA dhe BE të prezantojnë një draft-statut për Asociacionin, besoj e kanë të shkruar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian që ta prezantojnë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kjo pasi siç ka thënë ai, Kosova e ka të pamundur të pranojë një draft-statut, i cili bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e saj.

Këto deklarime Haradinaj i ka bërë të mërkurën, në një deklarim për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.

“Kosova e ka të pamundshme me pranua një draft-statut që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës edhe po të ishte edhe vullnet i kujtdo qoftë është e pamundshme. Është ditur herët se si do të jetë rezultati i këtij Komisioni, është ditur se çka do të propozojë”.

“Në fakt shkarkimi nuk është më i vlefshëm, pasi ata kanë dhënë produktin, ata e kanë krye pjesën e vet të punës. Mendoj se dalja nga kjo gjendje është prapë te ndërmjetësit, meqenëse amerikanët dhe BE-ja janë në dijeni se draft-statuti i Asociacionit nuk mund të jetë jokushtetues dhe joligjor. Pra, do të ishte e mirë ndërhyrja e tyre në këtë kohë dhe jo lufta e palëve”, është shprehur i pari i AAK-së.

Haradinaj tutje ka thënë se beson që tashmë zgjidhja është te SHBA-ja dhe BE-ja.

“Rrjedha e logjikshme është kjo. Unë jo se kam informacione, por rrjedha e logjikshme është kjo. Besoj se edhe e kanë të shkruar amerikanët dhe evropianët një draft-statut që është në përputhje me Kushtetutën, por është dashur të konsumohet propozimi i parë i komisionit, i cili është jo kushtetues”, ka deklaruar ai./Telegrafi/