Telegrafi

Haradinaj: Së shpejti do të rregullohet statusi ligjor i AFA “Rugova”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka siguruar Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”, se Qeveria që ai udhëheq, do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform ligjeve në fuqi për rregullimin shumë të shpejtë të statusit të tyre ligjor.

Ai gjatë një takimi me udhëheqësit e AFA “Rugova” ka vlerësuar këtë ansambël si thesar të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Udhëheqësit e AFA “Rugova” theksuan se në mungesë të statusit ligjor të Ansamblit, rrezikohet ruajtja e kësaj trashëgimie, këngët, vallet, lojërat, por edhe veshjet tradicionale, që janë tipike për trevën e Rugovës, dhe me këtë do të pësonte trashëgimia kulturore e vendit.

Ata theksuan se sfidë e tyre thelbësore është që ta ruajnë e kultivojnë, si dhe ta shpijnë më tej ndër breza këtë trashëgimi që është begati kulturore jo vetëm e Kosovës, porse e të gjithë shqiptarëve.

Ata po ashtu e falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen, pa harruar ta përmendin faktin se ai është kryeministri i parë i vendit që i pret në takim.