Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar për mikpritjen.
Gjatë një konferencë të përbashkët për media, Haradinaj tha se Kosova asnjëherë nuk ka qenë e vetme në rrugëtimin e saj shtetndërtues.
“Më vjen mirë për nderin që më bëtë sot që të jemi bashkë edhe një vit në angazhimet e përbashkëta për heroin tonë që na ka bërë çdo herë krenar, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Ne kurrë nuk kemi qenë vetëm në rrugëtimin tonë si Kosovë, pranë e kemi pasur gjithmonë Shqipërinë”, ka thënë Haradinaj, raporton Telegrafi.
Kryeministri Haradinaj më tej shtoi “jemi shumë të vendosur që rrugëtimin tonë drejt BE-së ta bëjmë së bashku me Shqipërinë”.
Haradinaj theksoi se mirëpresin mbledhjen e të dy qeverive që do të mbahet me 27 nëntor në Korçë, ku shtoi se mirëpret lehtësimin e shumë procedurave për çka u dakorduan me Edi Ramën. /Telegrafi/