Site icon Telegrafi

Pas shembjes së ndërtesave në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë, Haradinaj paralajmëron masa konkrete

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas shembjes së dy ndërtesave gjatë ditës së sotme, në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë.

Ai, ka thënë se dy shembjet që kanë ndodhur kanë rrezikuar drejtpërdrejtë jetën e punëtorëve dhe qytetarëve. Kryeministri, ka theksuar se autoritetet janë duke punuar me të gjitha kapacitetet për gjetjen e punëtorit të ngujuar nga gërmadhat e shembjes së objektit në Mitrovicë.

Lexo po ashtu Vazhdon kërkimi për personin që dyshohet se ka mbetur nën gërmadhat e Hotel "Adriatikut" (Video)

“I shqetësuar me rastet e sotme të shembjes së ndërtesave në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë, të cilat kanë rrezikuar drejtpërdrejt jetën e punëtorëve dhe qytetarëve përreth. Këto dy raste, me të drejt nxisin reagimet e gjithsecilit për mënyrën dhe kushtet e punës në industrinë e ndërtimit dhe më shumë për përgjegjësinë e Komunave në dhënien e lejeve dhe Inspektoratit në kontrollimin e punimeve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Shembet një objekt në ndërtim në Fushë Kosovë

Postimi i plotë:

I shqetësuar me rastet e sotme të shembjes së ndërtesave në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë, të cilat kanë rrezikuar drejtpërdrejt jetën e punëtorëve dhe qytetarëve përreth. Këto dy raste, me të drejt nxisin reagimet e gjithsecilit për mënyrën dhe kushtet e punës në industrinë e ndërtimit dhe më shumë për përgjegjësinë e Komunave në dhënien e lejeve dhe Inspektoratit në kontrollimin e punimeve.
Të gjithë mekanizmat e përfshirë në këtë sektor duhet të ndërmarrin masa emergjente në përmirësimin e kushteve dhe mënyrën e punës.
Në këto momente autoritetet po punojnë me të gjitha kapacitetet në gjetjen e punëtorit të ngujuar nga gërmadhat e shembjes së objektit në Mitrovicë dhe ky aksion nuk do të kalojë pa ndërmarrjen e masave konkrete që ngjarja e sotme të mos përsëritet. /Telegrafi/

 

Exit mobile version