Telegrafi

Haradinaj: Veseli ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas ftesës që i është bërë kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit nga Gjykata Speciale.

Haradinaj përmes një shkrimi të bërë në Facebook ka shkruar se, Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe se ai do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se është i bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta.

Ndryshe, Veseli do të intervistohet nga Dhomat e Specializuara më 4 dhjetor në Hagë. Kështu ka bërë të ditur vetë Veseli përmes një konference për media.

“Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike. Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë”, ka thënë sot Veseli. /Telegrafi/