Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar Raportin e Progresit, ku ka theksuar se ky raport i ka konfirmuar shqetësimet për defektet qeverisëse.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook është shprehur se Raporti konstaton se Kosova ka probleme me krimin e organizuar, korrupsionin dhe pothuajse të gjitha proceset integruese.
Ky është postimi i plotë i tij:
“Raporti i Progresit konfirmoi shqetësimet tona për defektet serioze qeverisëse. Ky raport konstaton se Kosova ka probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe pothuajse të gjitha proceset integruese. Qeveria e Kosovës ka stagnime serioze, pikërisht në fushat ku krerët e Qeverisë pretendojnë se ka sukses. Politikat e zhvillimit ekonomik e posaçërisht të punësimit kanë dështuar. Arsimi është në gjendje të rëndë, kurse sundimi i ligjit është vetëm në letër. Qeveria është pa fokus qeverisës, me vendime ad-hoc, me kosto të lartë dhe tërësisht pa llogaridhënie. E paaftë që të realizojë edhe objektivat që i ka caktuar vetes, kjo Qeveri në këtë raport lëvdërohet vetëm për votimin e Dhomave të Posaçme, dialogun dhe iniciativava që mbesin pa u zhvilluar. Mund të thuhet se kjo Qeveri nuk ka karakter integrues, përkundrazi ajo edhe këtë vit dëshmoi se është pengesë në rrugën Europiane të Kosovës!
Kosova nuk ka kohë për të humbur, prandaj vendi duhet që sa më parë të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet duhet parë si mundësi e forcimit të shtetit logjor dhe rritjes së ekonomisë së vendit, por edhe e kthimit të fuqisë në vendimmarrje!”(sic.)