Site icon Telegrafi

Haradinaj: Qytetarë të Kosovës, të dielën është dita juaj, ju lus të votoni të gjithë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin të dielën për të votuar.

Përmes një video-mesazhi, Haradinaj ka falënderuar pjesëmarrësit në fushatë, kandidatët për kryetarë dhe ata për asamble komunale.

“Të dashur qytetarë, sonte në mesnatë do të përfundojë koha e fushatës zgjedhore, ku fillon koha e heshtjes. Së pari dua të ju falënderoj për një fushatë të dinjetetshme të gjithëve që keni marrë pjesë. Jam i bindur që kemi dëshmuar jo vetëm që duam Republikën tonë, demokracinë dhe lirinë, mirëpo i duam edhe vlerat më të larta, respektimin e të drejtave të secilit”, tha Haradinaj në adresimin e tij në mbyllje të fushatës zgjedhore.

Ai shtoi se shpreson se kanë arritur të shpalosin programin e tyre nëpër komunat e Kosovës.

“Shpresoj se gjatë kësaj fushate kemi arritur të prezantojmë programin, orientimin dhe qëllimet qeverisëse dhe më lejoni që të falënderoj të gjithë kandidatët e Aleancës për kryetar të komunave dhe të gjithë kandidatët, që janë mbi 700 për asambletë komunale”, thekson Haradinaj.

Ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët të dalin të dielën për të votuar në zgjedhje lokale.

“Qytetarë të Kosovës, të dielën është dita juaj, ju lus të votoni të gjithë. Na priftë e mbara e suksese”, tha në fund Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version