Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Harandinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të heqë dorë nga Demarkacioni dhe Asociacioni dhe të merret me çështjet që sipas tij kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, çështjen e Trepçës dhe transformimin e FSK-së në FAK.
Haradinaj shkruan në Facebook se Kosova sot përballet me një varg çështjesh të tjera të rëndësishme dhe urgjente për t’u zgjidhur, që nga lufta kundër krimit e korrupsionit e deri te shfrytëzimi i resurseve natyrore, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ky është postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
- Meqë Demarkacionin është tërhequr nga votimi në Parlament dhe Asociacionin është gjetur se është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës;
- Dhe meqenëse këto dy marrëveshje kanë mbërritur në një pikë të kundërshtimit të përgjithshëm politik e popullor;
Është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës, të heq dorë nga eksperimentimi i mëtejshëm me to, dhe t’i tërheq ato në versionin e tanishëm.
Kosova sot përballet me një varg çështjesh të tjera të rëndësishme dhe urgjente për t’u zgjidhur, që nga lufta kundër krimit e korrupsionit e deri te shfrytëzimi i resurseve natyrore, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
Dy prej temave kërkojnë zgjidhje të menjëhershme janë
- A) Krijimi i Ushtrisë së Kosovës, duhet të bëhet urgjentisht, dhe shtyrja e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, po bëhet pa asnjë arsye të qëndrueshme
- B) Trepça, si njëra prej potencialeve më të mëdha të Kosovës, duhet të revitalizohet urgjentisht dhe të mos lihet kështu siç është, në duart e eksploatuesëve ordinerë!”. /Telegrafi/