Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur rreth vendimit për rritjen e pagave dhe refuzimit të ministrit të Financave, Bedri Hamza për marrjen e pagës me rritje.
Haradinaj lidhur me këtë tha se edhe ai mund të tregojë burrëri me refuzimin e pagës me rritje, por sipas tij, kjo nuk paraqet ndonjë vlerë.
“Me tregu burrni me mosmarrje të pagës muj edhe unë, nuk është aty vlefta e tij ose e imja. Edhe unë muj mos me marrë pagën, në fakt jam në atë mundësi mos me marr pagën, por ministri i Financave ka deklaruar në takime zyrtare se do ta respektojë vendimin e Gjykatës kushtetuese. Tani edhe sikur mos të duam ne nuk kemi qare pa e respektua atë vendim”, tha Haradinaj.
Kryeministri tha se nëse dëshiron Hamza të jetë burri më i mirë i Qeverisë dhe Kosovës, atëherë le të ndihmon me u përshpejtua Ligji për nivelizimin e pagave, të përkrah rritjen e pagave dhe të jetë më vizionar në këtë çështje.
“Nëse don ministri Hamza me qenë burri ma i mirë i qeverisë e i Kosovës le të ndihmon me u përshpejtua Ligji për nivelizimin e pagave, të na përkrah në rritjen e pagave dhe le të jetë më vizionar në këtë. Qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë”, tha Haradinaj.
Kryeministri po ashtu ka komentuar edhe rreth deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me rritjen e pagave.
Ai tha se vlerësimi i BE-së për rritjen e pagave është me rëndësi për ta, por sipas tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, rritja e pagave do të realizohet.
Haradinaj tha se vendimi do të jetë përkohësisht i tillë, pasi sipas tij do të pasojë ligji për nivelizimin e pagave që do ta rregullojë këtë çështje.
“Ne po synojmë që të shkojmë pak përpara me pagat për policinë për mjekët, për arsimin, për administratën…”, u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/