Site icon Telegrafi

Haradinaj pyetet për koalicionin, thotë se veç po forcohet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të ndjehet komod në pozitën e tij në krye të ekzekutivit. Thotë se zhvillimet e fundit për taksën nuk po e rrezikojnë koalicionin qeverisës.

Gjatë vizitës që Haradinaj i bëri ndërmarrjes “Fox Marble” në Puturoc të Lipjanit, tha se Qeveria vetëm sa po forcohet, me përkushtimin e saj për zhvillimin ekonomik të vendit.

I pyetur nëse zhvillimet e fundit për taksën, karshi presionit të BE-së dhe kërkesë së ShBA-së për heqjen e saj, ai u shpreh i bindur se koalicioni është stabil.

“Veç po forcohemi. Koalicioni rrezikohet mos me pas sukses kompania këtu, mos me ndodh puna, mos me ndodh zhvillimi. Përderisa fokusohemi në punë, edhe ajo që kemi deklaruar që ky vit është vit i ekonomisë është shumë me rëndësi”, tha ai.

Ai përsëriti se Qeveria ka kryer punën e vet me rritjen e pagave për mësimdhënësit, duke potencuar se të gjitha orët e humbura do të kompensohen.

Ndërkohë, Haradinaj foli edhe për të arriturat e ndërmarrjes të cilën e vizitoi, ku premtoi se do të gjendet gjithmonë pranë bizneseve, sa herë që u nevojitet roli i Qeverisë.

Sa i përket eksportit që kjo kompani po bënë në vendet e largëta, Haradinaj tha se po ndihmon në njohjen e Kosovës edhe në vendet që ende nuk e kanë njohur. /Telegrafi/

Exit mobile version