Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se po bëjnë përgatitjet për protestën që do të mbahet javën e ardhshme.
Ai gjithashtu tha se Donika Kadaj-Bujupi nuk e ka lajmëruar fare ish-partinë e saj, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kur vendosi të largohej.
Kështu ka thënë sot kryetari i AAK-së, Ramush Haradinja, në një konferencë për media, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të partisë, njofton Klan Kosova.
Ai pohoi se për largimin e saj janë njoftuar vetëm nga letra e deputetes Kadaj-Bujupi për dorëheqje.
Haradinaj ka thënë se nëse Donika Kadaj-Bujupi vendos t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosjes, nuk do ta pengonte aspak madje do të ishte veprim shumë i mirë.
Haradinaj duke folur për ngjarjet e djeshme, pohoi se protesta nuk është anuluar, por vetëm sa është shtyrë për një datë tjetër, që mund të jetë pas një jave.
Ai tha se AAK-ja vendosi të zhvillojë këtë mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth aktualiteti politik në vend.
Haradinaj deklaroi se është e kuptueshme se kanë dallime me partnerët e koalicionit, por kundërshtimin opozitar do ta vazhdojnë bashkë.
“AAK-ja i ka qëndrimet e vet dhe normalisht se kemi dallime, por ne mundohemi që qëndrimet tona në dakordim me partnerët e koalicionit t’i kthejmë në vendime të përbashkëta, nëse diçka e tillë është e mundur”, pohoi Haradinaj.