Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi të hënën se pajtohet dhe e pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se Kosova e ka konfirmimin direkt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se plani franko-gjerman, e përfshin përkrahjen amerikane për partneritet për paqe dhe rrugën e Kosovës drejt NATO-s.
Këto deklarata Haradinaj i bëri në seancën e Kuvendit, ku kryeministri Albin Kurti po raporton lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
“Kemi konfirmim direkt se menjëherë me këtë marrëveshje, kemi konfirmim nga SHBA-ja që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani franko-gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesorë, ecjen drejt NATO-s”.
“Derisa s’kemi hyrë në rresht në marrëdhënie kontraktuale me NATO-n, Kosova s’është e sigurt. Zhbllokohet anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kandidatura jonë drejt BE-së. Kur jemi tek OKB-ja, rruga jonë mund të jetë e vështirë, por mund të jetë më e avancuar nëse kemi nisur rrugën drejt NATO-s”, u shpreh kreu i AAK-së.
Sipas Haradinajt, rritja e prezencës amerikane në Ballkan, vendosja e vendkomandave, ngritja e bazave të reja dhe përkrahja e forcimit të FSK-së, është komponent që tregon se Kosova po shkon “në një rresht me Amerikën, kah NATO-ja”./Telegrafi/