Site icon Telegrafi

Haradinaj priti në takim gjeneralin Orr: Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-të

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim lamtumirës Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Timothy Orr, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të tjerë të shtetit të Iowa-s.

Kryeministri Haradinaj, shprehu falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës për kontributin që Gjenerali Timothy Orr ka dhënë për vendin tonë.

“Të jemi mirënjohës për punën tuaj të palodhshme që të ndihmoni Kosovën në ndërtimin e një shteti modern. Lidershipi juaj ndihmoi që Kosova të jetë e sigurt dhe e mbrojtur dhe po ashtu të jetë një forcë për stabilitetin rajonal”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se fakti që Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me ShBA-në, veçmas me shtetin e Iowa-s, është kontribut i drejtpërdrejt i Gjeneralit Orr dhe miqve tanë dhe kjo është vlerë të cilën do ta ruajmë dhe avancojmë edhe në të ardhmen.

Haradinaj po ashtu falënderoi shtetin e Iowa-s për miqësinë që ka me Kosovën.

Ndërkaq, Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralmajor, Timothy Orr,  e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme në takimin lamtumirës.

“Dua të falënderoj në veçanti Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e ofruar në raportet speciale ndërmjet Iowa-s dhe Kosovës. Kryeministri Haradinaj erdhi edhe personalisht për vizitë në Iowa për të parë punën dinamike që po bëhet, për vazhdimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes popullit të Iowa-s dhe popullit të Kosovës”, tha Gjenerali Orr, duke veçuar faktin se, falë lidershipit të Kryeministrit Haradinaj, ky partneritet do të zgjerohet edhe në fusha të tjera, përveç asaj ushtarake, duke përfshirë fushën e bashkëpunimit në fushën e arsimit, afarizmit dhe agrokulturës.

Në shenjë respekti për angazhimin ndaj Kosovës, kryeministri Haradinaj i dhuroi Komandantit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralmajor, Timothy Orr një Koleksion Artizanal të Armëve të Vjetra Shqiptare të punuara në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version