Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim të ngarkuarën me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, me të cilët bisedoi për zhvillimet e fundit politike në vend.
Haradinaj ka njoftuar ambasadorët e Quintit rreth zhvillimeve të fundit politike dhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë e detyruar të ndërmarrë këtë veprim pas pengesave të vazhdueshme që Serbia po ia bën Kosovës.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj, i ka siguruar ambasadorët e Quintit se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ta ruaj rendin dhe qetësinë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke demantuar dezinformatat për të ashtuquajturën krizë humanitare në veri të vendit.
Ai ka thënë se deklaratat për të ashtuquajturën krizë humanitare në Veri të vendit janë propaganda, të pavërteta dhe të papranueshme për realitetin në vend.
Kryeministri Haradinaj tha se qytetarëve të vendit, pa dallim vendi apo përkatësie etnike nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor dhe mjekësor dhe se deklaratat e politikanëve serbë janë veçse një veprim tjetër propagandues, i pavërtetë dhe i papranueshëm për realitetin në vend.
Kryeministri Haradinaj theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fton të gjithë qytetarët e saj dhe përfaqësuesit institucionalë, subjektet politike, kryetarët e komunave posaçërisht ata në veri dhe organet e tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
Kreu i ekzekutivit falënderoi ambasadorët e Quintit për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset dhe i ka ftuar ata që të jenë objektiv sa i përket vlerësimit të situatës në vend, duke ritheksuar edhe njëherë se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të mbetet në fuqi, deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/