Telegrafi

Haradinaj pritet të lirohet të enjten rreth orës 13:00

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet i arrestuar në Francë, nuk do të lirohet sonte.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, Haradinaj pritet që nesër rreth orës 13:00 të lirohet nga ndalimi, që i është bërë nga autoritetet franceze.

Ai ka thënë se Haradinaj është duke u mbajtur në një stacion policor.

“Lirimi i Haradinajt pritet të ndodhë nesër rreth orës 13:00″, tha Lekaj.

Sipas tij, Haradinaj ka qenë duke udhëtuar me familje.

“Për ne është e papranueshme që një lider i partisë, luftëtar i lirisë, të ketë kaq shumë probleme”, ka thënë Lekaj në KTV.

Edhe agjencia e lajmeve Reuters, shkruan se ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj nuk do lirohet sonte,.

Sipas agjencisë së lajmeve, lideri opozitar pritet që të enjten në mëngjes të paraqitet para organeve të drejtësisë në Francë ku edhe do të shikohet nëse Haradinaj akuzohet për çështje të njëjta për të cilat është shpallur i pafajshëm në Tribunalin e Hagës.

“Burime tona raportojnë se Franca do të refuzojë kërkesën për ekstradim të Haradinajt, sidomos për faktin nëse është ndjekur për arsye politike”, shkruan Reuters.

Haradinaj ishte duke udhëtuar me pasaportë diplomatike kur ai u ndalua nga autoritetet franceze.

Në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar në Slloveni dhe ishte liruar vetëm dy ditë pas arrestimit, pas presionit të madh diplomatik. /Telegrafi/

ARRESTOHET RAMUSH HARADINAJ