Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sot ka vizituar Bashkinë e Lezhës, Memorialin e Skënderbeut dhe Muzeun Etnografik.
Haradinaj gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar nga kryetarët e komunave, Zenun Elezaj, Smajl Latifi, Bashkim Ramosaj dhe Bali Muharremaj.
Kreu i AAK-së tha se Lezha, qyteti i kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përfaqëson vlera të lashta kulturore e historike.
Me këtë rast Haradinaj ndau medaljen “Me besim në zot, atdhe e shtet” për Bashkinë e Lezhës, me motivacionin për bashkëpunim.
Postimi i plotë:
Krenar që jemi shqiptarë.
Gjithmonë kënaqësi të jem në Lezhë, njërin ndër qytetet më të vjetra gjithandej hapësirës shqiptare, qytet ky që përfaqëson vlera të lashta kulturore e historike, qytetin e kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Me bashkëpunëtorët, u mirëpritëm nga kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, që njihet për afërsinë e tij me proceset në të cilat ka kaluar Kosova, gjatë Luftës Çlirimtare e pas saj.
Kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për Bashkinë e Lezhës, me motivacionin për bashkëpunim.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryehero i shqiptarëve, luftëtar e gjeneral, shëmbëlltyrë kombëtare në të gjitha zhvillimet historike, ishte varrosur pikërisht në Lezhë.
Në kuadër të Memorialit të Skënderbeut, me bashkëpunëtorë vizituam edhe vendvarrimin e tij, njërin prej monumenteve më të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve.
Bëmë homazhe dhe reflektuam për njëzetepesë betejat e tij kryesore që simbolizohen përmes mburojave prej bronzi, beteja të cilat mbetën të skalitura në historinë botërore.
Secila vizitë në Lezhë, ofron udhëtim nëpër histori, kulturë të pastër dhe atmosferën mikpritëse tradicionale shqiptare.
Muzeu etnografik i Lezhës, që po ashtu kishim rastin ta vizitojmë, me të vërtetë shpërfaq kulturën dhe traditat e këtij qytetit të vjetër. Aty hasëm në larmi të madhe të vlerave kulturore, kostumografisë, artizanatit dhe enëve të punuara më dorë.
Lezha, qytet që i rezistoi kohës, na nderon të gjithëve.