Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj sot pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka folur rreth presionit të Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë.
Ai tha se mbledhjen e Këshillit të Sigurisë e ka thirrur pikërisht për këtë çështje, pas disa kërkesave për lirim nga detyra nga pjesëtarët serbë të FSK-së.
Kryeministri i vendit tha se në kërkesën për lirim nga pjesëtarët serbë të FSK-së theksohet presioni direkt nga Beogradi zyrtar gjatë lëvizjeve të tyre në Serbi dhe mënyra tjera të kërcënimit.
Ai tha se Kosova pas këtyre ngjarje ka shqyrtuar nivelin e sigurisë në vend dhe nga takimi sipas tij del që këto ngjarje nuk rezultojnë me prishjen e rendit dhe të sigurisë në vend.
Haradinaj theksoi se në takim po ashtu kanë folur rreth veprimeve të nevojshme të Kosovës.
“]
“Ne si Kosovë kemi vepruar me kohë si në planin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm dhe kemi kërkuar të sqarohet ky veprim i papranueshëm”, tha Haradinaj, duke shtuar se të gjitha institucionet janë në nivel të punës lidhur me këtë situatë të krijuar.
Kreu i ekzekutivit të vendit tha se serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë në Kosovë dhe marrin pjesë në jetën politike e shoqërore.
“Ky presion i Beogradit është i pakuptimtë dhe i dalë kohe”, tha Haradinaj.
Ai tha se janë të habitur me këtë qasje të Beogradit, që është e padrejtë dhe është krim ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, ndaj familjeve të tyre, është kundër të drejtave të njeriut dhe kundër sigurisë së tyre. /Telegrafi/