Telegrafi

Haradinaj ka një porosi për gjeneralin serb: Edhe Millosheviqi mendonte si ti për përkrahjen ruse, por i doli keq

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së Shefit të Shtabit të Ushtrisë Serbe, gjeneralit Milan Mojsiloviq, i cili tha se Rusia si partner strategjik i Serbisë do të vazhdojë ta përkrahë vendin e tij [Serbinë].

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ia përkujtoi gjeneralit serb se edhe Slobodan Millosheviqi mendonte njësoj si ai, por i doli keq.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Komandanti i ri i ushtrisë së vjetër famëkeqe të Serbisë, Milan Mojsiloviq, paska deklaruar se kanë përkrahjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë. Ia kujtojmë atij se edhe Millosheviq mendonte njësoj, por i doli keq. Ata duhet t’i ndalin këto provokime. RH”, ka shkruar Haradinaj, raporton Telegrafi.

Gjatë vizitës zyrtare në Moskë, shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe, ka thënë se me vëmendje kanë analizuar situatën në Kosovë dhe se sipas tij veprimet e njëanshme të Prishtinës po rrezikojnë sigurinë, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Hoxhaj i reagon gjeneralit serb që tha se kanë përkrahjen e rusëve për Kosovën

“Kemi përkrahjen nga zyrtarët e lartë ushtarakë rusë se si të veprojmë lidhur me çështjen e Kosovës. Natyrisht se jemi të interesuar për sigurinë e serbëve jo vetëm në veri të Kosovës, por në gjithë vendin”, ka thënë gjenerali Mojisiloviq.

Lidhur me këto deklarata  ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se “mesazhet dhe kërcënimet nga ana e Serbisë në drejtim të Kosovës janë duke u bërë çdo herë e më të shpeshta”. /Telegrafi/