Site icon Telegrafi

Haradinaj: Politika dhe unë i kemi fajet për ikjet e qytetarëve nga Kosova

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka folur edhe për ikjet e qytetarëve të Kosovës nga vendi.

Ai ka thënë se fajet për këtë i ka politika, por edhe ai.

“Politika, por edhe unë kam faj për ikjet e qytetarëve nga vendi. Kushdo që ka pasur përgjegjësi për këtë, i ka fajet. Po ashtu nëse e analizojmë këtë gjendje, duhet të përballemi me atë që nuk është në rregull në vendin tonë, që qytetarët të mos ikin”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur edhe për sektorin privat ku tha se gjendja është e rëndë.

“Ne kemi një dialog tripalësh që quhet puëndhënës, punëmarrës dhe sindikata. E para që do të ndodh është shqyrtim rreth pagës minimale që do ta përmirësoj gjendjen. Pastaj do të kemi një dialog me sektorin privat, jo me qëllim që ta dëmtojmë, por të krijojmë marrëdhënie më serioze në punë”, ka thënë ai.

Haradinaj ndër të tjera në këtë konferencë ka folur edhe për ndërhyrjet e mundëshme në veri, punësimet në Telekom, për raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për ndërhyrje të mundshme në veri.

“Ju i keni parë se në Serbi kanë probleme të brendshme dhe për këto probleme mundohen ta përfshijnë Prishtinën. Prishtina është në telashet e veta dhe nuk e ka luksin të ndërhyjë në politikën në Serbi e as në proceset në rajon”, ka thënë ai.

Sipas tij, cak i punësimeve në Telekom janë të gjitha partitë.

“Njerëzit e rinj kanë lyp vende pune, Posta ua ka hapur dyert. Ose në ndërmarrjen ‘Pastrimi’, është në rregull të punojnë aty. Ne po ofendojmë njerëz që kanë nevojë për punë, ndërsa ata që e kanë krijuar gjendjen nuk janë target i kësaj. Aleanca, PDK, LDK, të gjithë janë në këtë fatkeqësisht. Ndryshimi bëhet nga vetëdija jonë, është ndryshim fakti që mediat dhe shoqëria civile po flasin për këto tema”, ka theksuar ai.

Lidhur me raportin e DASH-it, Haradinaj tha se kritikat për nepotizëm, për mos ndëshkim të të fuqishmëve janë të mirëseardhura për ta ndryshuar gjendjen në vend.

“Raporti i DASH-it gjen disa mangësi tek ne në Qeverisje, sistemin tonë të drejtësisë e më tutje. Ne i kemi identifikuar këto mangësi dhe i kemi kthyer në veprime. Ka punuar një grup i ekspertëve, i kemi nxjerrur veprimet që i shkojnë Qeverisë dhe për 90 ditë të raportohet. Është praktikë e re, i marrim detyrat, e shohim pastaj”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version