Telegrafi

Haradinaj: Personeli shëndetësor dhe ata të sigurisë, heronj të kohës sonë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u është drejtuar personelit shëndetësor në vend dhe mekanizmave të sigurisë, duke thënë se barra e përgjegjësive të tyre po bëhet gjithnjë e më e rëndë në zbatim të planit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ata janë heronjtë e vërtetë të kohës sonë.

Lexoni të plotë postimin e Haradinajt:

“Të nderuar pjesëtarë të institucioneve shëndetësore dhe të mekanizmave të sigurisë së vendit tonë,

Barra e përgjegjësive tuaja po bëhet gjithnjë e më e rëndë në zbatim të planit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, prandaj, ju lutëm pranoni konsideratat e mia të larta. Një falënderim, ashtu sikurse ndjen edhe çdo qytetar i vendit tonë, për punën dhe humanizmin e jashtëzakonshëm të cilën ju si mjekë, infermierë, policë dhe pjesëtarë të të gjithë mekanizmave tona të sigurisë, po e dëshmoni në këtë kohë kritike. Sot, ju jeni heronjtë e vërtetë të kohës sonë. Bashkë, me vetëdije të lartë dhe përgjegjësi kolektive, jam i sigurt se do t’ia dalim, siç ia kemi dalur në kohëra të vështira!”. /Telegrafi/