Site icon Telegrafi

Haradinaj: Personat me aftësi të kufizuar të jenë të barabartë në shoqëri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Konferencën për shënimin e Ditës dhe Javës Ndërkombëtare për Personat e Shurdhër.

Sipas një njoftimi, kryeministri Haradinaj shprehu falënderim për qytetarët e Kosovës, qofshin në Kosovë apo jashtë, që në shumë raste kanë treguar kujdes, duke ofruar pajisje dhe duke sjellë ndihmë për këtë kategori, po ashtu edhe gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, organizatat e ndryshme dhe të gjithë ata që kanë qenë me personat me aftësi të kufizuar.

“Një popull, një shoqëri e tregon veten, vlerat e veta më të mira, e tregon shpirtin e madh, zemrën e madhe, kur din me u kujdes dhe kur din t’i bëjë të ndihen të barabartë personat me aftësi të kufizuar”, tha kryeministri Haradinaj , duke falënderuar në veçanti ambasadoren e Finlandës në Kosovë Anne Huhtamaki, por edhe popullin e Finlandës, që vazhdimisht ka qenë dhe kanë përkrahë personat me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj theksoi se një barrë e madhe iu bie vetë familjeve, por u zotua se kjo qeverisje do të shquhet për veprim, për planifikim të politikave, strategjive, ligjeve, marrje të vendime, por edhe zbatim të tyre.

“Konsideroj që zbatimi mos me qenë vetëm nisja, por synojmë që të aftësohemi për integrim në Bashkimin Evropian, qeverisja të bazohet në ligj, të heq korrupsionin, problemet që i ka vendi ynë. Nëse Qeveria e Kosovës ka marr vendim ose ka nisur veprime që iu dedikohen personave me aftësi të kufizuar, nuk guxojnë të mbesin në gjysmë të rrugës, por duhet të mbërrijnë deri te pala”, ka thënë kryeministri, duke vlerësuar se prezenca e tij në këtë ngjarje, respekti që i jep kësaj teme duhet të kuptohet edhe nga të gjithë ata që i udhëheq, si besnikëri në zbatim deri në arritje te secili qytetar i vendit me aftësi të kufizuar, që të kenë përkujdesjen e duhur dhe të jenë të barabartë me secilin qytetar të vendit.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu shprehu zotimin se do të jetë shumë afër personave me aftësi të kufizuar, duke marrë obligimet dhe duke u bazuar në planin nacional, ligjet dhe të gjitha përgjegjësitë që i takojnë si Qeveri e Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini foli rreth zbatimit efektiv të parimit të mundësive të barabarta në politikat dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës, për rezultatet e procesit të ofrimit të shërbimeve në gjuhën e shenjave nga institucionet publike në vend si dhe për eksperiencat e ofrimit të shërbimeve dhe qasjes në informacione nëpërmjet interpretëve profesionistë të gjuhës së shenjave.

Të pranishmëve me një fjalë iu drejtua edhe Anne Huhtamaki, ambasadore e Finlandës në Republikën e Kosovës, Bujar Kadriu, kryetar i Forumit Kosovarë të Aftësisë së Kufizuar, si dhe Enver Kurtalani, nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve. /Telegrafi/

Exit mobile version