Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në jubileun e 20-vjetorit të themelimit të AAK-së, në Gjilan.
Haradinaj ka thënë se “ka pasur kënaqësinë të rikujtoj momentet më me peshë, që e veçuan rrugëtimin e AAK-së në skenën politike dhe në mbrojtje të interesave e të drejtës së Kosovës”.
“Në mandatin e parë të Aleancës në Qeverinë e Kosovës, për të parën herë në histori është krijuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Drejtësisë, janë vendosur themelet e pavarësisë në ardhje të Kosovës, me standardet para statusit, që ka kulmuar me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me 2008, si dhe u sigurua mbrojtja me ligj e kategorive të lirisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Telegrafi.
I pari i AAK-së, ka përmendur edhe disa nga vendimet që janë marrë në mandatin e tij të fundit si kryeministër.
“Gjatë qeverisjes në mandatin e fundit, u krijua Ushtria e Kosovës, u realizua e drejta pronësore mbi Trepçën, pavarësimi energjetik dhe rikthimi i prodhimit të energjisë në vend, si dhe ruajtja e tërësisë territoriale e Kosovës. Mirënjohje të thellë për të gjitha gratë dhe burrat që i kanë dhënë ide, energji e fuqi AAK-së, që nga fillimet e saj e deri më sot”./Telegrafi/