Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën e Lybeniqit të Pejës, të 1 prillit 1999.
Kreu i AAK-së ka thënë se “më 1 prill 1999, në Lybeniq të Pejës forcat barbare ekzekutuan të gjithë burrat që kishin gjetur në fshat”.
Haradinaj ka potencuar se ata u vranë vetëm pse e ëndërruan lirinë e atdheut.
“Në këtë ditë ndajmë thellësisht dhimbjen me familjarët e të gjithë të rënëve të ngjarjeve që nisën më 1 prill dhe vazhduan edhe në ditët në vijim në fshatrat përreth, në të cilat regjimi i atëhershëm mori jetën e shumë civilëve të pafajshëm shqiptarë”.
Haradinaj po ashtu ka kujtuar edhe martirët e rënë në Gjakovë.
“Gjithashtu sot me përulje të thellë, kujtojmë martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë. Kujtojmë familjen që u shua pa lënë pasardhës, familjen e Januz Canës. Kujtojmë gjithë ata që u sakrifikuan në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesët e tjera të Gjakovës”, ka shtuar tutje ai.
Në fund të reagimit, Haradinaj ka shtuar se “asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre iu bënë mburojë kësaj toke”.
“Lavdi të gjithë të rënëve për liri”. /Telegrafi/