Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar në 21-vjetorin e rënies heronjtë Rasim Kiçina e Ragip Halilaj.
Haradinaj në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ka theksuar në shkrimin e tij përkujtues, se dy heronjtë u përjetësuan vetëm disa javë para çlirimit të vendit.
Ai tha se çmonë veprën e tyre, duke thënë se ata nuk kursyen asgjë për atdheun e tyre.
“Heronjtë e Kosovës, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, u përjetësuan njëzetenjë vjet më parë, disa javë para çlirimit të vendit. Ranë për t’i mbijetuar shekujt, më 30 maj 1999, në rrugëtimin e tyre të fundit drejt Arllatit, rrugëtim ky që i shpiu në pavdekësi. Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj dhanë kontribut të çmuar për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në fund edhe jetën e tyre, duke mbetur shembull të luftëtarëve shqiptarë, që nuk kursejnë asgjë për Atdheun e tyre”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/