Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur letrës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për shkurtimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, duke marr parasysh gjendjen me pandemi, derisa ka thënë se fushata duhet të shkurtohet në vetëm pesë ditë, e jo në 10 siç ishte propozimi i Abdixhikut.
Haradinaj shkruan se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha.
“Të nderuar qytetarë,
Kam pranuar një letër nga kryetari i LDK-së z. Abdixhiku ku ai kërkon shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 30 në 10 ditë.
Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10.
Shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha!”, shkruan Haradinaj.
Ndryshe, sot kryetari i LDK-së, Abdixhiku u ka bërë ftesë publike liderëve të tri partive parlamentare, atij të LVV-së, Albin Kurti, të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga të cilët ka kërkuar që të kapërcehen dallimet dhe të bëjnë një pakt zgjedhor duke marr parasysh situatën e rëndë me pandeminë.
Abdixhiku ka kërkuar nga liderët e tre partive parlamentare që të shkurtojnë fushatën zgjedhore nga 30 ditë sa është në 10 ditë dhe përballjen politike nga terreni ku grumbullohen mijëra njerëz të bëjnë në debate në media, përballje digjitale e sociale. /Telegrafi/