Site icon Telegrafi

Haradinaj për rezolutën “Bytyqi”: Autoritetet serbe të mos fshehin kriminelët, por t’i hapin rrugë drejtësisë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur miratimin e Rezolutës për vëllëzërit Bytyqi, nga Kongresi Amerikan.

Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se kjo rezolutë, e miratuar nga ShBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Miratimi në mënyrë unanime i Rezolutës për vëllëzërit Bytyqi, nga Kongresi Amerikan, është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë familje por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë. Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfisht që i bëhet familjes Bytyqi,popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri. Kjo rezolutë, e miratuar nga ShBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon. I bëjmë thirrje autoriteteve serbe, që ta pranojë këtë realitet dhe mos të fshehin faktet dhe kriminelët, por të distancohen nga ta dhe ti hapin rrugë drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”./Telegrafi/

Exit mobile version