Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e Belegut, duke thënë se kjo masakër ka dimension të dhimbshëm pasi që shumica janë të zhdukur.
Haradinaj në një status në llogrinë e tij në Facebook, ka shkruar se nuk do të ndalen derisa të gjenden eshtrat e secilit njeri të Kosovës.
“E vërteta jonë janë varret masive në tërë Kosovën. Liria e atdheut tonë mban emrin e secilit nga martirët e Belegut dhe tërë Kosovës. Duke qenë se shumica e të vrarëve në Beleg konsiderohen të zhdukur të luftës kjo masakër e ka edhe dimensionin e saj më të dhimbshëm, sepse shumica nga 46 të ekzekutuarit nuk e kanë ende një varr të shënjuar në këtë tokë, për të cilën ata janë sakrifikuar. Sot, njëzet vjet më vonë, ne e vazhdojmë betejën për zbardhjen e fatit të të gjithë martirëve dhe nuk do të ndalemi deri sa të gjenden eshtrat e secilit njeri të Kosovës, të vrarë në luftë”, ka shkruar Haradinaj./Telegrafi/