Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka adresuar kritika në drejtim të qeverisë lidhur me situatën e krijuar si pasojë e grevës.
Sipas tij, qeveria është në agjendën e Serbisë duke e dobësuar sistemin publik në vend.
Haradinaj vlerëson se dalja nga kjo gjendje është rritja e pagave.
Kreu i AAK-së, u jep të drejtë grevistëve ndërsa kritikon qeverinë për mos rritje të pagave.
“Qeveria është në gabim këtu, qeveria është në agjendën e Serbisë në këtë rast, kam dëgjuar njerëzit që kritikojnë sindikatat që janë në agjendën serbe, qeveria është në agjendën e Serbisë sepse po e dobëson krejt sistemin publik duke mos rritur pagat që një kohë të gjatë, është gabim dhe mendoj që dalja nga kjo gjendje është rritja e pagave”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Kosova vihet në shërbim të agjendës së Serbisë nëse pranon që në dialogun e Brukselit të shkohet me marrëveshje një nga një.
Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se duhet të ketë marrëveshje të plotë me të gjitha temat e përfshira.
Haradinaj thotë që Kosova duhet t’i ikë praktikës së marrëveshjeve një nga një meqë sipas tij është e rrezikshme për vendin, ndërsa shton se kjo është strategji e Serbisë për të arritur tek formimi i Asociacionit.
“Strategjia e Serbisë është marrëveshje një nga një për të arritur te Asociacioni, ky është një rrezik për Kosovën… Është mirë të mos shkohet një nga një por të shkohet me marrëveshjen e plotë gjithëpërfshirëse ku janë të gjitha temat, jo të vazhdohet një nga një, sepse është praktikë e Serbisë dhe jemi në shërbim të agjendës së Serbisë… Nëse vazhdohet me marrëveshje një nga një jemi në shërbim të agjendës serbe”, ka shtuar Haradinaj. /KP/Telegrafi/