Telegrafi

Haradinaj për Deklaratën e 2 Korrikut: Vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, ishte një gur në themelet e lirisë së Kosovës.

Haradinaj ka thënë se Deklarata e 2 korrikut ishte vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për liri.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, ishte vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për liri, ndërsa si akt shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se 111 delegatët e atëhershëm në kushte shtetrrethimi, legjitimuan vullnetin e popullit për pavarësi.
“Atë ditë, 111 delegatë edhe pse në kushte shtetrrethimi, legjitimuan vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi. Ata do të kujtohen dhe lartësohen nga brezat për përpjekjen e tyre për jetësimin e ëndrrës shekullore, shtetit të pavarur”.

“Deklarata e 2 korrikut 1990, ishte një gur në themelet e lirisë, e cila u jetësua disa vjet më pas nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Haradinaj. /Telegrafi/