Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka shprehur edhe njëherë ngushëllime familjarëve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin në Kroaci.
“Të nderuara familje Sylmetaj, Zhubaj, Binakaj, Gjotaj, Kolmekshaj, Kikaj, Iprijaj, Kastrati, Bellanica, Hoxha, Rrustemi, Kurtaj dhe Maloku. Ju u ndatë nga familjarët tuaj, të cilët do të pushojnë përgjithmonë në Atdhe. Por, dhembjen tuaj e kemi bashkëndjerë të gjithë ne. Greçina, Deva, Baballoqi, Juniku, Lipoveci, Vitomirica, Malësia e Vogël, Krusha e Madhe, Randobrava, Pakashtica e Smolica, nuk ishin të vetme në dhembje. Ato kishin solidaritetin e tërë Kosovës, e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Të nderuar familjarë të dhjetë bashkatdhetarëve që u shuan në aksidentin e tmerrshëm në Kroaci,
Të dashur qytetarë të Kosovës!
Si popull, gëzimet dhe hidhërimet gjithmonë i kemi kaluar bashkë. Ashtu edhe tragjeditë e mëdha. E tragjedia më e madhe është që ne jetojmë të ndarë, në shumë shtete e kontinente.
Të nderuara familje Sylmetaj, Zhubaj, Binakaj, Gjotaj, Kolmekshaj, Kikaj, Iprijaj, Kastrati, Bellanica, Hoxha, Rrustemi, Kurtaj dhe Maloku.
Ju u ndatë nga familjarët tuaj, të cilët do të pushojnë përgjithmonë në Atdhe. Por, dhembjen tuaj e kemi bashkëndjerë të gjithë ne. Greçina, Deva, Baballoqi, Juniku, Lipoveci, Vitomirica, Malësia e Vogël, Krusha e Madhe, Randobrava, Pakashtica e Smolica, nuk ishin të vetme në dhembje. Ato kishin solidaritetin e tërë Kosovës, e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata.
Naseri, Valentina, Erlinda, Leunora, Arlinda, Kujtimi, Anjeza, Hameti, Sevdaili dhe Gjyla, do të jetojnë gjithmonë në kujtimin tonë. Në kujtimin e mëngjesit të kobshëm të 25 korrikut.
Lusim Zotin që kurrë më të mos kemi të tilla tragjedi. Askush nuk mund të kompensojë humbjen tuaj, por shpresoj se në familjet tuaja do të ketë vetëm gëzime, të cilat do të jenë edhe gëzim për të gjithë ne. /Telegrafi/