Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se operacioni i ushtrisë amerikane për vrasjen e e udhëheqësit të grupit militant të Shtetit Islamik (ISIS) Abu Bakr al-Baghdadi është moment historik drejt fitores ndaj ISIS dhe terrorizmit.
Përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova do të mbetet partner i besueshëm dhe qëndron e paluhatur në rreshtin e Koalicionit Global Kundër Terrorizmit, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme ishte presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ai i cili dha lajmin për vrasjen e Abu Bakr al-Bagdadit. Trump në një konferencë për media ka thënë se udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë në një operacion të forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në veriperëndim të Sirisë. /Telegrafi/