Site icon Telegrafi

Haradinaj: Qeveria e Kosovës është e paluhatshme në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar sot zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer, me të cilin kanë biseduar për tranzicionin e FSK-së, dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjet tjera aktuale.

Haradinaj theksoi se sa i përket arritjes së Marrëveshjes ligjërisht obligative me Serbinë janë të paluhatshëm në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës, që është arritur falë sakrificës së popullit dhe investimit afatgjatë amerikan dhe të aleatëve strategjikë.

“Kënaqësi si gjithnjë të takoj Zëvendës-ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, të cilin e informova për tranzicionin e FSK-së, në ngritjen e së cilës, roli i Amerikës dhe NATO-s mbetet i pazëvendësueshëm. Për fazën finale të Dialogut, Qeveria e Kosovës është e angazhuar për krijimin e një koncepti për unitet të forcave politike dhe ka hartuar Rezolutën përkatëse. Sa i përket arritjes së Marrëveshjes ligjërisht obligative me Serbinë, në kuadër të takimit, theksova qëndrimin e gjithanshëm, se jemi të paluhatshëm në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës, që është arritur falë sakrificës së popullit tonë dhe investimit afatgjatë amerikan dhe të aleatëve tanë strategjikë”, shkruan Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/

 

Exit mobile version