Site icon Telegrafi

Haradinaj pas takimit me kancelarin austriak: Vjena, adresë e përhershme për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinajn, ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të përkrahin dialogun Kosovë – Serbi.

Kurz tha se suksesi vjen nga ky dialog, i cili sipas tij sjell perspektivë të re, paqe dhe stabilitet në rajon.

“Jam i lumtur që jemi ndër investitorët më të mëdhenjtë në Kosovë. Do të doja që qytetarët e Kosovës ta mbështesin dialogun Prishtinë-Beograd, sepse suksesi vjen nga ky dialog që sjell perspektivë të re dhe paqe e stabilitet në rajon”, tha Kurz.

Edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, falënderoi shtetin austriak për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës.

Haradinaj tha se në takim kanë biseduar për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale në mes Kosovës dhe Austrisë.

“Kisha nderin të zhvilloj takim me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin edhe njëherë konfirmuam përkushtimin për thellimin e partneritetit afatgjatë politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve tona. Gjatë bashkëbisedës përmbajtësore për perspektiven evropiane të vendit dhe rajonit, Kancelarit Kurz, i shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer të shtetit austriak për avancimin në rrugën tonë euro-atlantike. Me aleatë tradicionalë si Austria, vendi ynë ka kaluar sfidat më të mëdha të shtet-ndërtimit. Vjena zyrtare mbetet adresë e përhershme për ngritjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, gjatë ditës, kancelari austriak ka takuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Përderisa kancelari Kurz, është treguar skeptik për liberalizimin e vizave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të punojnë veç e veç me shtetet e Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave, pasi sipas tij qytetarët e Kosovës meritojnë lëvizje të lirë dhe sa më shpejtë që ndodh është më mirë.

Ata, gjatë një konference për gazetarë janë deklaruar edhe rreth arritjes së mundshme të një marrëveshje me Serbinë.

Në këtë drejtim, kancelari Kurz ka thënë se Austria mbështet çdo marrëveshje, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse ajo përfshin korrigjimin e kufijve ndërmjet dy vendeve. /Telegrafi/

Exit mobile version