Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale, ka thënë se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky unitet është edhe me domethënës pas votimit të platformës së dialogut dhe ligjit.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Pata nderin që sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë Philip Kosnett së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli të zhvillojmë një takim të hapur dhe të sinqertë me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.
Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe me domethënës pas votimit të Platformës se Dialogut dhe Ligjit.
E ritheksova se ne jemi gati per dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/
Takimi i Nënsekretarit për Çështje Politike në Departamentin Amerikan, David Hale, me tre liderët e vendit, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, është mbajtur sot paradite dhe temë diskutimi ka qenë vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Lidhur me takimin e sotëm është deklaruar edhe Presidenti Thaçi, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, në takim me diplomatin amerikan, kanë biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe të ardhmen euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. /Telegrafi/