Site icon Telegrafi

Haradinaj pas takimit me ambasadorin Grenell: Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takimin me ambasadorin e ShBA-së në Gjermani, Richard Grenell, i ka shprehur përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë.

Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se në këtë takim ka theksuar se Qeveria e Kosovës kundërshton idenë e këmbimit të territoreve.

Ndër të tjera, kryeministri Haradinaj, në takim me ambasadorin Grenell, ka thënë se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke.

“Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, sot zhvillova një takim me Ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell, të cilit i shpreha përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke. Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin. Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike. Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm”, ka shkruar në Facebook, Ramush Haradinaj./Telegrafi/

Exit mobile version