Site icon Telegrafi

Haradinaj pas dorëheqjes: Do të shkoj në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë, do ta ruaj nderin e Kosovës

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryeministër i Kosovës.

Ai para mediave ka thënë se dorëheqje ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë.

“Sot informova Qeverinë do t’i informojë edhe institucionet tjera për dorëheqjen time të parevokueshme. Arsyeja është se kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, javën tjetër do të paraqitem në Gjykatën Speciale, dhe kam vlerësuar së nuk mund të paraqitem si kryeministër i Kosovës, por do të paraqitem si qytetar i thjeshtë, pra si Ramush Haradinaj, Qeveritë dhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, ka thënë Haradinaj.

Lexo po ashtu Jep dorëheqje Ramush Haradinaj, ftohet nga Gjykata Speciale

Është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës./Telegrafi/

Exit mobile version