Telegrafi

Haradinaj pas arrestimeve nga Specialja: Shteti t’u qëndrojë afër luftëtarëve të lirisë

Situatën e krijuar pas arrestimeve të para të Gjykatës Speciale, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj po e konsideron jo të lehtë për vendin.

Ish-kryeministri në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se pas kësaj situate, shteti i Kosovës duhet të bëjë një analizë të kujdesshme, si dhe t’u qëndrojë afër ish-luftëtarëve të lirisë.

“Është një situatë jo e lehtë për vendin dhe për Kosovën, përballja me drejtësisë edhe njëherë, duhet ta bëjmë një analizë të kujdesshme të veprimeve në anën e ligjit. Pra ndonjë analizë të kujdesshme, dhe duhet t’i qëndrojmë afër të gjithë shtetasve, duhet t’i qëndrojmë afër shtetasve të vet, dikur luftëtar lirie, heronjtë e lirisë sonë. Pra Kosova duhet të qëndrojë afër tyre”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj këto deklarata i bëri pas ceremonisë së ndarjes së dekoratave për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Dukagjinit./KP/