Telegrafi

Haradinaj paralajmëron për veriun: Do të veprojmë nëse rrezikohet siguria e vendit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka kërkuar rritjen e gatishmërisë nga institucionet relevante në rast të prishjes së rendit dhe sigurisë në vend.

Haradinaj lidhur me paralajmërimet për shpalljen e autonomisë nga serbët në veri tha se askush nuk ka të drejtë të ndërmerr veprime të njëanshme sepse Kosova nuk ka dalë nga obligimet e saj.

“Nëse dikush merr veprime të njëanshme atëherë është jashtë ligjeve të Kosovës dhe jashtë marrëveshjeve. Ai veprim do ta merr përgjigjen e organeve të ligjit.

Ai tha se rritja e shkallës së gatishmërisë nuk është urdhër për veprim. “S’ka urdhër, por në rast se ka prishje të rendit dhe ligjit do të veprojmë”, tha ai, raporton Telegrafi.

“Gjendja e sigurisë është e qetë dhe stabile megjithatë kemi kërkuar rritjen e gatishmërisë për veprim për çfarëdo prishje të rendit dhe ligjit në vend”, tha ai, duke shtuar se asnjë komunitet në Kosovë nuk duhet të ndihet i rrezikuar.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Haradinaj tha se Kosova ka kryer obligimet.

“Kosova është brenda obligimeve të veta. Më 4 gusht është afati kur dorëzohet transkripti i Grupit punues për draft-statutin. Grupi punues nesër mund ta dorëzojë transkriptin për punën për draft statusin”, tha ai, duke shtuar se procedura parasheh që prezantimi të bëhet para palëve, para BE-së, palës kosovare dhe asaj serbe.

“Ne qëndrojmë në kuadër të obligimeve të Kosovës. Ne nuk kemi dal nga obligimet, qofshin nga dialogu por as nga Kushtetuta dhe ligjet tona. Kur e marrim transkriptin ne e japim kontributin tonë, por edhe duhet të sigurohemi se është brenda ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Kosova si palë është serioze para obligimeve të marra”, tha kryeministri i vendit. /Telegrafi/