Telegrafi

Haradinaj paralajmëron: Kushdo që i shkel vijat e kuqe në dialogun me Serbinë do të shkarkohet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë konferencës për media tha se Kosova ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë, të cilat janë të paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Haradinaj tha se kushdo që i shkel vijat e kuqe do të përballet me pasojat, duke rikujtuar shkarkimin e dy presidentëve të mëparshme të cilët kishin bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës, e duke aluduar edhe në presidentin aktual Hashim Thaçi i cili po udhëheqë bisedimet me Serbinë.

“Ju e dini, janë shkarkuar presidentët sepse kanë shkelur Kushtetutën. Ne kemi vija të kuqe, ne i kemi në Kushtetutën e vendit. Jemi të shpallur shtet, kemi territor. Nëse dikush del jashtë këtyre, ju e dini, është shkarkuar presidenti, dy herë. Unë e kuptoj idenë që të nxjerrim vija të kuqe parimore por ne e kemi kontratën nga e cila askush nga ne në Kosovë nuk guxojmë të dalim. Ajo është Kushtetuta e vendit. Kushdo qe del nga kjo kontratë, është bukur e thjeshtë. Konsensusi politik i brendshëm nuk është vetëm t’i mbrojmë vijat, por është që të afirmojmë të drejtën tonë. Shpallja e pavarësisë ka nënshkrimet, ajo është kontrata jonë për të cilën ne ekzistojmë”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu në shtator të vitit 2010 kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit pasi kishte shkelë Kushtetutën duke mbajtur postin e kryetarit të LDK-së, edhe pse të ngrirë, gjatë kohës sa ishte president.

Po ashtu në vitin 2011, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje të Kushtetutës nga Kuvendi me rastin e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit, pasi në sallë nuk ishte kuorumi i nevojshëm i deputetëve të cilët kishin votuar për zgjedhjen e Pacollit si president. /Telegrafi/

Foto: Arkiv