Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi të enjten se organet kompetente po merren me kompaninë “B.S.B. Aviation” në Prizren, e cila është prezantuar se vjen nga Gjermania për të punësuar 2,000 kosovarë në këtë shtet evropian.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se deri në fund të vitit Kosova do të marrë një lajm të mirë për lëvizjen e lirë.
Dje në Prizren, kompania “B.S.B. Aviation” ka bërë prezantimin e konkursit për 2,000 vende punë për kosovarët që dëshirojnë të shkojnë në Gjermani.
Për vende të lira pune janë prezantuar pozitat si motër medicinale, shofer kamioni, pastrues, punëtorë në aeroport dhe profesione të zanatit. Sipas tyre aplikimet për punë do të fillojnë prej datës 5 nëntor.
Kjo vjen në kohën kritike kur Kosova po pret vendimmarrje nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që do të votojnë për ose kundër liberalizimit të vizave për kosovarët.
Haradinaj ka thënë se ka dëgjuar dje për prezantimin e 2,000 vendeve të punës dhe se organet po merren me këtë çështje, por është ende herët të thuhet diçka. Ai nuk ka mohuar se me këtë po merret edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
“E kam parë lajmin dje, organet kompetente janë në proces, por nuk po paragjykojmë diçka tash, se pse është e vështirë të thuhet menjëherë diçka, por organet kompetente janë në proces. Me siguri do të kemi ndonjë konfirmim se çka po ndodh”, tha Haradinaj.
Ai ka thënë se çfarëdo lajmi apo paralajmërimi se do të ketë dyndje ose emigrim, është i rrejshëm.
“Mendoj që në fund të këtij viti do të ketë plot të zgjedhur, si në Gjermani, si në vende të tjera, të BE-së, plot ministra të rendit që do ta përkrahin Kosovën në lëvizjen e lirë, pra nuk ka rrezik, çfarëdo lajmi apo paralajmërimi se do të ketë dyndje ose emigrim, është i rrejshëm”, tha ai. /KP /Telegrafi/